Mbi 300,000 euro donacione në vetëm disa muaj – Zegin dhe Fondacioni Dr. Verica Mehandziska po krijojnë një model të ri të kujdesit për komunitetin.

23.06.2026

Kompania Zegin dhe Fondacioni Dr. Verica Mehandziska gjatë 10 muajve të fundit kanë realizuar donacione dhe projekte në vlerë mbi 300.000 euro, të orientuara drejt mbështetjes së kategorive të cenueshme të qytetarëve, me fokus të veçantë te personat me aftësi të kufizuara, personat me autizëm, pacientët dhe të rinjtë.

Përmes aktiviteteve të shumta, projekteve infrastrukturore, donacioneve dhe mbështetjes së institucioneve dhe organizatave në mbarë vendin, Zegin dhe Fondacioni po vendosin një model të ri të përgjegjësisë shoqërore – një model i bazuar në kujdes afatgjatë, përfshirje dhe mbështetje sistematike.

Në kuadër të garës humanitare “Zegin Spectraton – gara e heronjve në të gjitha ngjyrat”, u mbështetën tri organizata: shoqata “Inkluziva” për ndërtimin e një qendre kreative për persona neurodivergjentë në Kumanovë, “Hapni Dritaret” për mbështetjen e prindërve të fëmijëve me autizëm, si dhe Special Olympics Macedonia për realizimin e aktiviteteve sportive inkluzive.

Veçanërisht të rëndësishme janë investimet në shëndetësi. Në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit “8 Shtatori” u dhurua një dhomë hiperbarike e teknologjisë më të fundit në vlerë prej 140.000 eurosh, ndërsa Qendra për Rehabilitimin e Patologjisë së Komunikimit Verbal u pajis me një aparat për stimulim magnetik transkranial (TMS) në vlerë prej 20.000 eurosh, i dedikuar për mbështetjen e personave me autizëm. Për më tepër, janë realizuar edhe donacione të shtretërve spitalorë në Tetovë dhe Shtip, pajisje stomatologjike për Klinikën e Stomatologjisë, si dhe pajisje për Institutin e Mjekësisë Fizikale dhe Rehabilitimit.

Fondacioni investon gjithashtu në shërbime dhe hapësira për fëmijët dhe personat me autizëm. Në Kërçovë dhe Koçan janë pajisur dhoma sensoriale dhe burimore, ndërsa në Qendrën për Rehabilitimin e Patologjisë së Komunikimit Verbal janë hapur dy kabinete për ndërhyrje të hershme. Është mbështetur gjithashtu programi për vlerësim falas të çrregullimeve nga spektri i autizmit, i cili përfshin 70 fëmijë dhe të rinj.

Fushata “Heronj në të gjitha ngjyrat”, e realizuar në të tetë rajonet planifikuese, hapi tema të rëndësishme lidhur me autizmin, kërkimin shkencor dhe inovacionin, ndërsa në ngjarje morën pjesë më shumë se 1.000 qytetarë.

Përveç mbështetjes së shëndetësisë dhe mbrojtjes sociale, Fondacioni investon edhe te të rinjtë. Për të dytin vit radhazi ndahen bursa për studentë nga familje në gjendje të vështirë sociale në Fakultetin e Farmacisë pranë UKIM-it, ku këtë vit mbështeten 14 studentë me bursa mujore.

Për më tepër, është realizuar mbështetje për linjën e parë telefonike për pacientët paliativë dhe familjet e tyre, rinovimi dhe pajisja e hapësirave në Shtëpinë e Nënës për nevojat e Departamentit të Psikofiziologjisë pranë Klinikës Universitare për Sëmundjet e Fëmijëve, mbështetje për podcast-in “Smisla”, si dhe një sërë donacionesh individuale për trajtim dhe ndihmë për persona në situata të vështira jetësore.

Me veprimtarinë e tyre, Kompania Zegin dhe Fondacioni Dr. Verica Mehandziska dëshmojnë se përgjegjësia e vërtetë shoqërore nënkupton investim të vazhdueshëm në njerëzit, shëndetësinë, përfshirjen dhe të ardhmen e komunitetit.